Këshilli Bashkiak i Lushnjës ka shkarkuar nga detyra me shumicë votash kryetaren dhe nënkryetarin.
Shkarkimi i Vasilika Hoxhës dhe Vladimir Hajdarit, të dy përfaqësues të Partisë Socialiste, erdhi pas një votëbesimi të kërkuar nga këshilltarët e LSI-së, vetëm pak orë para mbajtjes se mitingut të radhës të Edi Ramës në këtë qytet.
Sipas këshilltarëve të LSI-së, dy drejtuesit e këshillit kanë bërë shkelje të rënda, në konflikt të hapur interesi, por votimi është shoqëruar me debate të ashpra mes këshilltarëve socialistë nga njëra anë dhe atyre të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për mënyrën e votimit.
Nga 35 këshilltarë që morën pjesë në votim, 23 votuan pro shkarkimit. Po me shumicë votash, në postin e kryetarit është zgjedhur Gazmend Koreshi, përfaqësues i Partisë Demokratike, Barie Dymishi, e LSI-së, u zgjodh nënkryetare./tvklan.al
Gazetare: Anila Sefa