Ndonëse Partia Socialiste dhe LSI nuk kanë përjashtuar një koalicion të mundshëm paszgjedhor mes tyre, ëndrimet e strukturave në bazë duket se nuk kanë ndryshuar nga përplasjet e nisura që pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007.

Këto përplasje mes dy forcave politike më të mëdha të opozitës janë shoqëruar shumë herë me rrjedhje të anëtarëve nga njëra parti në tjetrën. Rasti më i fundit është shënuar në qytetin e Lushnjës.

Kryetari i LSI-së, njëkohësisht dhe kryetari i bashkisë së bashku me 50 anëtarë janë deklaruar shkëputjen e tyre nga partia e drejtuar nga Meta dhe bashkimin me partinë e Ramës.

Dorëhehjen nga lista e kandidatëve për deputetë për këtë rreth e kanë dhënë edhe dy emrat e propozuar nga LSI për deputetë Vladimir Hajdari dhe Rudina Jupe.

Albert Sanxhaku: “Unë personalisht si kryetar i bashkisë kam vendosur të distancohem nga LSI me motivin, që për shkelje të rënda statusore, duke mos marrë parasysh vendimin e kryesisë së rrethit dhe të propozimeve që kanë dal nga komiteti drejtues i qytetit të Lushnjës, të cilët nuk morën parasysh kandidaturat tona, por i importuan kandidatura, importuan njerëz që nuk kanë fare lidhje me LSI në Lushnje, vetëm e vetëm që të plotësoj ngërçet e interesat e ngushta vetiake.”

Ky veprim është dënuar ashpër nga sekretari i përgjithshëm i LSI për rrethin Flamur Malko, i cili akuzoi kryebashkiakun Sanxhaku për interesa të ngushta që nuk kanë të bëjnë bindjet e tij politike.

Flamur Malko: “Shpreh keqardhjen më të thellë, më të madhe për këta njerëz, sepse nuk janë pjesëtarë të LSI-së, por janë strukturë e bashkisë. Janë strukturë e atij personi që për interesa të ngushta familjare nepotike i ka prurë në bashkisë e Lushnjës. Këta nuk ka për t’i pranuar kurrë PS, sepse PS di t’i vlerësojë njerëzit e ndershëm thjesht dhe jo dezetorët.”

Rrjedhjet mes këtyre partive shpesh herë janë komentuar si triumfe të njërës apo tjetrës forcë, në një garë të pazyrtarizuar, secila prej tyre përfaqëson të majtën e vërtetë./tvklan.al