Lajme Arkiva – TV Klan2003
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka filluar diskutimet mbi amendamentet e paraqitura nga PD, për mbylljen e magazinave doganore dhe përcaktimit të çmimit të referencave. Amendamentet iu propozuan anëtarëve të komisionit me shumicë socialiste nga deputeti demokrat Ridvan Bode, i cili ka bërë edhe njëherë të qartë se pa miratimin e këtyre dy propozimeve, PD nuk do të votojë në parlament mbylljen e dyqaneve pa taksa.
Rdivan Bode:- “Ndryshimet në ligjin konsistojnë edhe njëherë, në lejimin e magazinave doganore, që veprojnë brenda zonave doganore dhe që administrohen drejtpërdrejtë nga doganat dhe mbylljen e atyre që administrohen nga persona të autorizuar nga autoritetet doganore, apo nga Ministria e Financave dhe që në përgjithësi kanë shërbyer, si qendra të evazionit fiskal”.
Socialistët e Komisionit të Ekonomisë nuk kanë ende një qëndrim të qartë për propozimin e PD, por sipas kryetarit të komisionit Ylli Bufi, mazhoranca është e gatshme të pranojë mbylljen e të gjitha shtigjeve të evazionit fiskal.
Ylli Bufi:- “Mua më preokupon kjo gjë, që ne si komision duhet të mbajmë qëndrim ndaj të gjitha atyre shtigjeve që mund të jenë lënë të hapura për shkak të formulimeve të pasakta apo evazive që mund të ketë kodi doganor”.
Ndërkohë nga reformatorët ka ardhur, një tjetër kusht i ri për qeverinë, në mënyrë që deputetët e saj të votojnë mbylljen e free shop-eve.
Genc Pollo:- “Pezullimi pa afat i licencave të tranzitimit, bashkë me ato të dyqaneve dhe magazinave “duty free”, deri sa zbatimi i ligjit të arrijë nivelin europian është rruga e vetme e drejtë”.
Të gjitha këto propozime të opozitës, pritet të diskutohen sërish, në komisionin e ekonomisë, ku në mbledhjen e së mërkurës, do të jetë i pranishëm Ministri i Financave Kastriot Islami dhe drejtori i përgjithshëm i doganave Ferdinand Papadhima./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço