McCain tregoi tepër agresivitet, është perceptimi i shtypit amerikan, i cili ka gjykuar nga përgjigjet e dy kandidatëve, e deri tek sjellja dhe mënyra e reagimit.

Për New York Times, kandidati republikan ka shfrytëzuar 90 minutat e debatit për të sulmuar vazhdimisht rivalin e tij, i cili në fakt tregonte qëndrueshmëri. Pavarësisht kësaj për New York Times, kandidatit demokrat Barack Obama, mundi ti rezistojë presionit, duke treguar një sjellje të përmbajtur duke u munduar ta kthejë atë në  situatë argëtuese. Edhe pse ndonjëherë dukej pak i sforcuar.

Edhe për Los Angeles Times McCain u shfaq më i gjallë dhe i fokusuar, por gjithashtu i nervozuar dhe i paqëndrueshëm. As prestigjiozes Washington Post nuk i kanë munguar kritikat ndaj kandidatit republikan në përballjen e 3 dhe të fundit me Obamën.

Me një sy të ftohtë gazeta gjykon se ndërsa McCain ishte i përqendruar të sulmonte agresivisht figurën e senatorit të Ilinoisit, duke përmendur lidhjet miqësore me një ish terrorist, vetë Obama kërkonte t’i jepte zgjidhje për problemet më thelbësore që ka sot ekonomia.

Sipas Washington Post shumë herë Obama shmangte flakën e ndezur të akuzave duke e kaluar në çështjet thelbësore ekonomike.

I njëjti gjykim vjen edhe nga USA Today, ku sigurisht në piedestal ngrihet figura e Obamës, si një kandidat më i qëndrueshëm, i përmbajtur dhe i përshtatshëm për shtëpinë e Bardhë. Duke vlerësuar si njeriun për të cilin ka nevojë elektorati./tvklan.al