Sinoptikanët: Do të ketë sërish përmirësim
Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje, reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë zonat malore në vend, e kryesisht rajonin e Juglindjes.
Në rrugën Korçë-Ersekë, në segmentin e Qafës së Qarrit dhe rrugën e Dardhës ku trashësia e dëborës arrin në 15 cm, është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.
Por sinoptikanët parashikojnë një përmirësim gradual të motit.
“Ka filluar përmirësim gradual i motit duke bërë që gjatë orëve të pasdites të kemi kthjellim edhe në zonat lindore dhe juglindore ku aktualisht kemi reshje të pakta dëbore. Dita e nesërme kryesisht me diell në gjithë territorin shqiptar dhe situatë e tillë do të jetë edhe gjatë fillimit të javësh që vjen”.
Nga e premtja pasdite, parashikohet që edhe temperaturat të vijnë në rritje.
“Sa i takon temperaturave kanë pësuar një rënie me 3 gradë sot gjatë mesditës duke bërë që vlerat maksimale të zbresin në 13-14 gradë C. Më e ndjeshme rënia e temperaturave do të jetë mëngjesin e ditës së nesërme ku në zonat malore parashikohet një rënie me 4 gradë duke bërë që vlerat minimale të zbresin në -4 gradë Celsius, por mesdita duke qenë se do të kemi më shumë diell në territor, do të sjellë rritje graduale të temperaturave jo vetëm nesër por edhe gjatë fundjavës duke ngritur maksimumin në 16 gradë C”.
Ditët e fundit të Shkurtit do të rikthejnë reshje të pakta dhe të izoluara dhe temperatura 2-3 gradë më të larta se vlerat normale klimatike.
Tv Klan