14-vjeçari Colt Gray dhe babai i tij dolën para gjykatës për herë të parë këtë të premte. Ata akuzohen për vrasjen e 4 personave në sulmin e ndodhur në një gjimnaz në Georgia, SHBA.
Adoleshenti u arrestua pak kohë pas të shtënave që ndodhën të mërkurën në shkollën e tij, gjimnazin Apalachee High, në Winder pranë Atalantës. I prangosur nga duart e këmbët, ai u përball vetë me gjykatën.
Gjykatësi theksoi se 14-vjeçari nuk përballet me ekzekutim, megjithatë fillimisht i tha se dënimi maksimal ishte ai me vdekje.
Babai i tij, Colin Gray, 54 vjeç, akuzohet për vrasje të shkallës së dytë, vrasje nga pakujdesia dhe keqtrajtim të fëmijëve, akuzat më të rënda të ngritura ndaj një prindi pas të shtënave në një shkollë në SHBA.
Viktima nga të shtënat mbetën Mason Schermerhorn dhe Christian Angulo, të dy 14 vjeç, si dhe mësuesit Richard Aspinwall, 39 vjeç e Cristina Irimie, 53 vjeçe. Një mësues tjetër dhe 8 nxënës u plagosën.
Daljet në gjykatë, të mbajtura veçmas, ishin të parat për Gray-t. Familjet e viktimave ishin ulur në rreshtin e parë të gjykatës, sipas BBC. I veshur me një bluzë jeshile, i dyshuari 14-vjeçar foli fare pak, duke pohuar se i kuptonte akuzat me të cilat përballet.
Gjykatësi pranoi interesin e shtuar të publikut për këtë çështje. Për shkak të kësaj, kamerat u lejuan të regjistrojnë dhe transmetojnë drejtpërdrejt seancat.
Ai fillimisht i tha Colt Grey-t se dënimi maksimal për akuzat e tij ishte me vdekje ose burgim të përjetshëm, por më vonë sqaroi se nën 18 vjeç nuk mund të ekzekutohet.
Ndërsa babai i tij, Colin Grey, u shfaq i shqetësuar në disa momente gjatë seancës. I veshur me një këmishë me vija të dhënë nga burgu, ai u pa duke u lëkundur para-pas, pasi gjyqtari mbaroi së foluri.
Gjykatësi i tha atij se përballej me një total prej 180 vitesh burg për akuzat e ngritura. Zyrtarët e akuzojnë babain se ka lejuar të birin që të posedonte armën AR-15 që ata thonë se e përdori në sulm.
Babë e bir pritet që të dalin sërish para gjykatës më 4 Dhjetor./tvklan.al