31-vjeçari Adil Hizdri qëlloi ndaj 70-vjeçarit Fadil Hunda pak minuta pasi ai ishte afruar pranë makinës së tij për t’u sqaruar. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë pikërisht momentin kur i moshuari pasi bën fjalë me të riun largohet nga makina.
Menjëherë më pas ai duket në pamje që përpiqet të fshihet për shkak të të shtënave të autorit 31-vjeçar. Ky i fundit del nga makina dhe fillon të konfliktohet me të moshuarin edhe fizikisht. Për të shuar konfliktin futet një qytetar, u cili duket që mban 31-vjeçarin. E gjithë skena e konfliktit dhe plagosjes ndodh në sy të personave të tjerë mes të cilëve edhe fëmijë.
Teksa shihet 70-vjeçari i gjakosur në këmishë, largohet nga vendngjarja duke u shoqëruar nga një person. Autori Hizdri nuk arrin të largohet pasi arrestohet menjëherë nga policia, siç shihet nga kamerat e sigurisë.
Ngjarja e rëndë e cila ndodhi në 18 korrik në lagjen 17 në Durrës, dyshohet se shkak kishte një borxh i pakthyer të djalit të 70-vjeçarit. Por kjo mohohet nga djali i këtij të fundit, i cili thotë se ngjarja është pengmarrje, pasi 31-vjeçari donte t’u vinte gjobë atyre pasi e kishin hequr nga puna.
Tv Klan