Megjithë zgjerimin e tryezës, edhe me përfaqësuesit e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pasditen e së hënës takimi mes përfaqësuesve kryesorë të tryezës politike, Topi, Berisha dhe Rama, nuk prodhoi zgjidhje. Ajo çfarë dihet me siguri është fakti se është folur me propozime konkrete.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ofroi si variant për zgjidhje të ngërçit politik kthimin e opozitës në Kuvend, ngritjen menjëherë më pas të Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet dhe dërgimin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe në Komisionin e Venecias të kushtit të vendosur nga Partia Socialiste për hapjen e kutive të vendimit.

Kjo ofertë e tijshkon në sinkron dhe me rezolutën e Këshillit të Europës, e cila shprehet për një zgjidhje kushtetuese të situatës politike. Por të njëjtat burime brenda takimit, thonë për Tv Klan se kryetari i PS, Edi Rama e ka refuzuar këtë variant, duke risjellë kështu pas 2 orësh e gjysmë bisedimesh palët në të njëjtën pikë, atë të mungesës së një rezultati dhe për rrjedhojë zgjidhje për situatën politike.

 Nesër, krahas vazhdimit të negociatave, zyrtarisht është komunikuar edhe një konferencë për shtyp e komunitetit presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Për të diskutuar mbi delegacionin e Këshillit të Europës që kanë ardhur për zgjidhjen e ngërçit politik, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Preç Zogaj, Andrea Stefani, Ilir Babaramo, Andi Tela, Artan Hoxha dhe Çlirim Peka. /tvklan.al