Delfinët mësojnë në mënyrë shumë të ngjashme me majmunët e mëdhenj. Sjelljet e tyre të ngjashme, kryesisht me gorilla dhe shimpanzetë, i mësojnë jo vetëm nga prindërit, por edhe nga grupet e tyre, shpjegohet në një studim të publikuar në revistën Current Biology.
Një grup kërkuesish kanë vrojtuar sjelljet e tyre në brigjet e Australisë, veçanërisht kur janë në kërkim të ushqimit. Rezulton se këto sjellje janë shumë të pazakonshme dhe nuk mësojnë vetëm nga nëna, siç mendohej deri më sot, por edhe nga pjesëtarët e tjerë të grupit, apo bashkëmoshtarë. Por edhe përdorimi i instrumenteve që i shërbejnë për të arritur qëllimin e tyre, është mjaft i ngjashëm me arsyetimet e majmunit dhe njeriut.
Sipas studiuesve të kësaj pune kërkimore, ky zbulim është mjaft i rëndësishëm, pasi vërtetohet se sjellja kulturore e delfinit është shumë më e ngjashme pra me gjallesat më inteligjente, majmunët antropomorfë, përfshirë njeriun. Kjo pasi, duke patur një tru më të madh, këto krijesa inteligjente, janë më të prirura drejt inovacionit dhe përthithjes së sjelljeve kulturore dhe pasqyrimin e tyre. Pra të mësosh nga të tjerët, në këtë rast, shpjegon edhe faktin pse delfinët, sikurse gjitarët e mëdhenj, përshtaten në mjediset e reja, sikurse ndodh me ne.
Tv Klan