Qeveria e qendrës së majtë të Australisë ka prezantuar një projekt-ligj në parlament që synon të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Projektligji propozon gjoba deri në 32 milionë dollarë për platformat e mediave sociale për shkelje sistematike. Ndalimi është i prerë dhe nuk merr parasysh mbikqyrjen prindërore.

“Për shumë të rinj australianë, mediat sociale mund të jenë të dëmshme. Pothuajse dy të tretat e australianëve 14 deri në 17 vjeç kanë parë përmbajtje jashtëzakonisht të dëmshme në internet, duke përfshirë abuzimin me drogën, vetëvrasjen si dhe materiale të dhunshme. Prandaj ne po bëjmë ndryshime të mëdha për t’i mbajtur platformat të japin llogari për sigurinë e përdoruesve”, tha Michelle Rowland, Ministre për Komunikimin.

Llogaritë e fëmijëve që janë regjistruar para se ky ligj të hyjë në fuqi do të bllokohen deri kur ata të mbushin moshën. Regjistrimi në të gjitha rrjetet sociale në Australi pritet të kryhet, përveçse duke deklaruar të sakta të dhënat personale dhe moshën, edhe përmes verifikimit biometrik ose me konfirmim nga zyrat shtetërore.

Nëse kjo rregullore miratohet, Australia do të bëhet vendi me rregullat më të ashpra për përdorimin e rrjeteve sociale. Një numër vendesh tashmë janë zotuar të frenojnë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët përmes legjislacionit. Franca vitin e kaluar propozoi një ndalim të mediave sociale për ata nën 15 vjeç, por përdoruesit mundën ta shmangnin ndalimin me pëlqimin e prindërve.

Shtetet e Bashkuara kanë bere thirrje nga kompanitë e teknologjisë që të kërkojnë pëlqimin e prindërve për të hyrë në të dhënat e fëmijëve nën 13 vjeç.

Klan News