Probleme me dëmtimet po has edhe Republika Çeke. Tre futbollistë të rivalëve të ardhshëm të kombëtares shqiptare kanë lënë grumbullimin pasi nuk gëzojnë formë të mirë fizike. Bëhet fjalë për lojtarë si Matej Rynesh, Jaroslav Zelenji dhe David Zima, të cilët trajneri Ivan Hashek ka vendosur t’i zëvendësojë me 4 lojtarë.
Në vend të tyre janë ftuar Jan Boril, Milan Havel, Robin Hranaç dhe Ondrej Zmrzli. Në këtë mënyrë, Çekia do të ketë në dispozicion ndaj Shqipërisë 24 nga 25 lojtarët e grumbulluar aktualisht, pasi Ladislav Krejçí është i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë.
Kombëtarja çeke është grumbulluar dhe ka nisur tashmë zyrtarisht përgatitjet për sfidën e së premtes kundër kuqezinjve. Republika Çeke ka grumbulluar 3 pikë pas dy sfidave, në kuotë të njëjtë me kombëtaren tonë, për ta shndërruar këtë në një 90 minutësh tepër vendimtar për vendin e dytë në grup.
Klan News