Ardian Ismajli është padyshim emri më i lakuar te Kombëtarja Shqiptare në merkaton për të ndryshuar skuadër. Mbrojtësi kuqezi ka hyrë në muajt e fundit të kontratës me Empolin dhe performanca e mirë ka tërhequr vëmendjen e skuadrave BIG në Serie A.
Napoli konsiderohet si më e avantazhuar për të firmosur me 28-vjeçarin, me të cilin raportohet se ka një akord për të kaluar te jugorët në fund të sezonit. Në bisedimet mes palëve po aludohet për një kalim të Ismajlit që në muajin Janar.
Prozhektorët e merkatos janë fokusuar edhe tek Qazim Laçi. Mesfushori ka edhe 6 muaj në kontratën me Spartën e Pragës dhe ende nuk ka vendosur të ardhmen. 28-vjeçari ka shënuar 2 herë dhe asistuar në 4 raste në të gjithë kompeticionet të këtij sezoni.
Në dilemë për të ardhmen mbeten edhe Ivan Balliu, Enea Mihaj dhe Feta Fetai. Për Balliun ka interes nga Valencia, me këto të fundit që dëshirojnë ta marrin mbrojtësin e krahut të djathtë me parametra zero në fund të sezonit.
Ndërkaq, këtë periudhë pritet ta shfrytëzojë edhe Elseid Hysaj për t’u larguar nga Lazio. Mungesa e aktivizimit në këtë sezon do e shtyjë shkodranin për t’u larguar nga kryeqytetasit.
Klan News