Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, analizoi ecurinë e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, me kuqezinjtë që ranë në Ligën C.

Duka deklaroi për “SportItalia”, se Kombëtarja shqiptare nuk kishte fatin në këtë edicion të Ligës së Kombeve, ndërsa theksoi se kishte edhe dëmtime të shumta.

“Nuk mund të them se arritëm atë që donim. Në fakt, ishte një grup vërtet i balancuar, shumë i luftuar dhe si në asnjë grup tjetër, të katër skuadrat ishin në garë deri në sekondën e fundit të ndeshjes së fundit për vendin e parë apo të fundit. Ukraina ashtu siç u dënua të eliminohej me pikë edhe pse kishte 4 pikë të barabarta me vendin e parë të grupit në finalet e Euro 2024, u shpërblye këtë herë në Ligën e Kombeve me një pikë më shumë në Tiranë. Fati nuk ishte në anën tonë në këto ndeshje të Ligës së Kombeve. Duhet theksuar gjithashtu se kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar në çdo ndeshje.”

Sipas Dukës, sulmuesi Cristian Shpendi është në vëmendjen e trajnerit Silvinjo, duke thënë se është rritur shumë këtë sezon.

“Shpendi ka luajtur me ekipin Kombëtar U-21, ka qenë protagonist në një ndeshje të fituar me përmbysje kundër Rumanisë në kualifikuese, por tani është rritur akoma më shumë. Është në vëmendje të trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, por në ndeshjet e tetorit ishte i dëmtuar. Unë gëzohem shumë kur Cristian bën gola, por kur ato i bën për Kombëtaren shqiptare lumturohem.”

Kreu i futbollit në vend, kishte një këshillë për Kristjan Asllanin, duke thënë se duhet të vazhdojë të qëndrojë tek Interi.

“Asllani është një futbollist i madh e një djalë inteligjent. Megjithëse vetëm 22 vjeç, me të mund të bisedosh si me një të rritur. Është një djalë super i edukuar. Nëse para një viti kam menduar se ai duhet të kërkojë një klub tjetër për të marrë më shumë minuta, tani mendoj ndryshe. Ai duhet të vazhdojë te Interi, është momenti i tij. Është pjekur mjaftueshëm për të qenë titullar aty. Jam i sigurt që trajneri Inzaghi do t’ia japë këtë shans”, deklaroi Duka.

/tvklan.al