Një ditë të mirë për të vërtetën, e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama vendimin e Gjykatës së Apelit për dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë, të deputetit të opozitës, Ervin Salianji. Përmes një komenti në rrjetin social “X”, kreu i qeverisë thekson se për herë të parë gjykatat kanë dhënë një vendim të drejtë kundër shpifjes.
“E vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte. E pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallëzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk besoj se do të ndryshojë gjësendi në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare, falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën”.
Sipas Ramës, shpifja e deputetit Salianji ishte një inskenim për të goditur PS-në dhe drejtuesin e Reformës në Drejtësi.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili duke iu përgjigjur Ramës po në rrjetet sociale, tha se ai po keqpërdor gjykatat për të frikësuar e dënuar pa ligj e prova opozitën.
“Ti je kryeministri i vetëm në botë që bërë ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE! Ti je i vetmi kryeministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emërojë Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Do mbetesh unik në historinë botërore për fundin e tmerrshëm dhe të afër që të pret!”.
Edhe kryeministri Edi Rama nuk e la me kaq, pasi në një tjetër replikë nga Nju Jorku, duke i përmendur vetëm gërmën e parë të mbiemrit, e cilësoi Bardhin një shpifës të të njëjtit lloji si Salianji.
“U the me të madhe shqiptarëve dhe atyre të RAI3-shit e jo vetëm atyre, se e kishe kallëzuar në SPAK trafikantin e drogës që zbulove në familjen time, po në fakt, i gënjeve mu si një skuth që i vë në dispozicion bishtin e spërdredhur çdo shefi të radhës, sepse në fakt nuk bëre asnjë kallëzim pikërisht për të mos përfunduar si ky tjetri, i dënuar penalisht për veprën më ekstreme të shpifjes, Kallëzim i Rremë”.
Ndaj këtyre deklaratave, reagoi sërish kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi, duke theksuar se Rama nuk e mbulon dot diellin me shoshë.
Tv Klan