Heroizimi i një krijuesi rrethanash të rreme, ka çoroditur mbarë opinion publik përmes telenovelës “Babale”. Kështu e konsideron kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetet sociale vetëdorëzimin e Ervin Salianjit.
“Heroizimi i një krijuesi rrethanash të rreme për të sulmuar publikisht një kundërshtar politik, duke çoroditur me muaj të tërë opinionin publik me një fushatë të egër shpifjesh përmes telenovelës “Babale”, si edhe kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë që bazohet në ligjin kundër veprës penale të kallzimit të rremë, flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve nën Penxheren e Katit të Tetë të pakicës!”
Ndër të tjera Kryeministri Rama shkruan se rasti i Salianjit është një viktimizim i turpshëm, si të ishte një film i Kinostudios së SHQUP-it.
“Viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve, sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë ke, tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie. Jo më kot shpifja konsiderohet në të gjithë librat e shenjtë si një mëkat gati i barabartë me vrasjen e tjetrit; jo më kot shpifja konsiderohet në botën demokratike si një vepër e dënueshme dhe si një helm prej të cilit janë ruajtur me fanatizëm organet e shtypit, deri kur bota mori kot nëpër oqeanin e mediave e të rrjeteve sociale.”
Rama ka dhe një përgjigje për ata që e akuzojnë për vendimet e Gjykatave.
“Sa për mua që nuk i komentoj vendimet e gjykatave, kjo vlen gjithnjë kur ato vendime nuk janë të formës së prerë apo edhe kur mund të mos më bindin personalisht, sepse kurrë nuk mund t’i ve në diskutim punët e drejtësisë, por nuk më ndalon dot askush që ta ndaj publikisht opinionin tim kur drejtësia bën drejtësi deri në fund. Kështu që heroin e saj të ri Mbretëria e Shpifarakëve mund ta ngjisë edhe krah për krah Penxheres së Katit të Tetë në gjoksin e bluzave qesharake të luftës kundër Drejtësisë, sepse kësisoj jo vetëm do të ritregojë se sa larg realitetit të shqiptarëve është, po edhe do ta meritojë akoma më shumë vendimin e hidhur të Gjykatës Sovrane të Popullit në zgjedhjet e afërta politike.”
Në reagimin e tij për Ervin Salianjin, kryeministri Rama shkruan se ideja se një politikan mund të shpife lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, është një ide që shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht.
Klan News