Ish-Kryeministri pakistanez Imran Khan është dënuar me 14 vjet burg dhe gruaja e tij Bushra Bibi me shtatë vjet për akuzën e korrupsionit. Çifti është akuzuar se kur Khan ishte në pushtet, ka pranuar dhuratë një tokë nga një pasanik i pasurive të patundshmërive, në këmbim të pastrimit të parave.

Prokurorët thanë se biznesmeni, Malik Riaz, më pas u lejua nga Khani që të paguante gjoba që i ishin vendosur për një rast tjetër për të njëjtat para të pastruara prej 240 milionë Dollarë. Këto para u kthyen në Pakistan nga autoritetet britanike në vitin 2022 për t’u depozituar në thesarin e shtetit.

Khan ka mohuar akuzat dhe ka insistuar se që nga arrestimi i tij më 2023 janë komplot nga rivalët që ta mbajnë larg garimit për post shtetëror. Arrestimi çoi në protesta mbarëkombëtare gjatë të cilave mbështetësit e Khan u mblodhën në shumë qytete.

Ai është dënuar për akuza për korrupsion, zbulim të sekreteve shtetërore dhe shkelje të ligjeve të martesës. Sipas ligjit në Pakistan, ai duhet t’i vuajë të gjitha dënimet, që do të thotë kohëzgjatja e burgimit do të jetë më e gjatë.

Khan përballet me më shumë se 150 raste penale, edhe pse ai gëzon popullaritet të madh në mesin e pakistanezëve. Ai dhe partia e tij politike, Pakistan Tehrik-e Insaf kanë thënë se këto raste janë të motivuara politikisht.

Khan u rrëzua nga pushteti në Prill 2022 përmes një mocioni mosbesimi, të cilin ai ia atribuon një komploti që përfshin ushtrinë e vendit dhe Shtetet e Bashkuara, akuza që të dyja i kanë mohuar.

Klan News