Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 13 vite burg Akil Kullën, pjesëtarin e grupit të Gjergj Cukalit, ose i ashtuquajturi “i forti i Myslym Shyrit”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i Kullës konvertohet në 8 vite e 8 muaj burgim. Dënimin ai do ta kryejë në një burg të sigurisë së lartë.
“Në aplikim të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, ulet 1/3 e masës së dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Akil Kulla me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim. Referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajta e dënimit për të pandehurin Akil Kulla fillon nga dita e ekzekutimit e vendimit dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Akil Kulla është nipi i Nehat Kullës, i cili njihej si një nga krerët e bandave kriminale në vitin 1997. Ai u shpall në kërkim pas një operacioni të SPAK ku u zbuluan 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe furnizimin e armëve të grupeve kriminale në të gjithë vendin.
Gjatë kontrollit të banesës së Akil Kullës, policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak. Konkretisht bëhet fjalë për një snajper prodhim i fundit, 4 kallashnikovë, dy granatahedhës, një pistoletë dhe pjesë për riparim dhe modifikim të armëve të zjarrit./tvklan.al