Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha dhe 9 të dyshuarit e tjerë për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”. Gjatë zhvillimit të seancës Hoxha e ka cilësuar arrestimin e saj si sulm politik dhe ka kërkuar pafajësi.
Ndërsa prokuroria ka sqaruar se ata kanë dalë në përgjime të një grupi kriminal dhe për këtë arsye u kryer hetimi. Të dyshuarve u ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Togat e zeza e dënuan ish-gjyqtaren Hoxha me 3 vite po ashtu edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik. Po ashtu shuma prej rreth 10 mijë Eurosh që u gjet në banesën e Enkelejda Hoxhës është konfiskuar.
Por ajo do të kryej vetëm 2 vite. Avokati Aldo Tabaku do të mbyllet në qeli për 2 vite e 8 muaj burg. 2 vite heqje lirie dhe për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik u vendos edhe për ish-sekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi.
Pothuajse për të gjithë të pandehurit e tjetër është vendosur nga 1 vite e 8 muaj burg. Ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha dhe 9 të dyshuarit e tjerë u arrestuan në Shkurt të 2021 me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion duke liruar disa të fortë të dënuar me burgim përjetë.
Hoxha vazhdon që të jetë në qeli që nga Shkurti edhe pse ka kërkuar nga ish-kolegët e saj për 8 herë me radhë që të kishte një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e saj.
Në dosjen e SPAK thuhet që një i dënuar që të lirohej fillimisht merrte avokat Aldo Tabakun.
Ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me ish-gjyqtaren Enkelejda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit dhe më pas lirim me kusht, kundrejt shumave nga 6 deri 12 000 Euro. Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë.
Klan News