Prokuroria lexon para gjykatës konkluzionet përfundimtare për 10 të dyshuarit 

SPAK ka relatuar konkluzionet përfundimtare para gjykatës, përish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha dhe 9 të dyshuarit e tjerë për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”.  Ata të gjithë po gjykohen me procedura të gjykimit të shkurtuar dhe në përfundim atyre do t’u ulet 1/3 e dënimit. Prokuroria e Posaçme kërkon që ish-gjyqtarja Hoxha të dënohet me 3 vite e 6 muaj, po ashtu edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Avokatin Aldo Tabaku prokuroria kërkon që ta mbyll në qeli për 4 vitet e ardhshme. 3 vite heqje lirie dhe për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik u kërkua edhe për ish-sekretaren e gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi.

Pothuajse për të gjithë të pandehurit e tjetër është kërkuar nga 2 vite burg. Ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha dhe 9 të dyshuarit e tjerë u arrestuan në Shkurt të këtij vitit me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion duke liruar disa të fortë të dënuar me burgim përjetë. Hoxha vazhdon që të jetë në qeli që nga shkurti edhe pse ka kërkuar nga ish-kolegët e saj për 8 herë me radhë që të kishte një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e saj.

Në dosjen e SPAK thuhet që një i dënuar që të lirohej fillimisht merrte avokat Aldo Tabakun. Ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me ish-gjyqtaren Enkelejda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit dhe më pas lirim me kusht, kundrejt shumave nga 6 deri 12 000 euro. Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë.

Klan News