Gazeta më e madhe austriake, “Der Standard” i ka kushtuar një shkrim zgjedhjeve të 9 Shkurtit dhe veçanërisht ka skanuar Qeverinë Kurti gjatë 4 viteve të shkuara.

Gazetarja Adelheid Wolfl në artikull ka renditur edhe qëndrimet e Kryeministrit Albin Kurti kundër rekomandimeve të SHBA-së edhe BE-së, të cilat më pas sollën edhe sanksione që i vuajnë qytetarët e Kosovës.

“Në fakt, Kosova dhe Serbia tashmë kishin rënë dakord për ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2013. Por si SHBA ashtu edhe BE kanë qenë gjithmonë në mëdyshje kur bëhet fjalë për zbatimin. Kurti nuk u dorëzua dhe jo vetëm zemëroi SHBA-në por kundër tij u kthyen edhe shumica e diplomatëve dhe politikanëve evropianë. BE-ja madje vendosi sanksione”, citon gazeta.

Në artikull ka folur edhe gazetarja kosovare Jeta Xharra, e cila thotë se veç politikave për veriun, kjo qeveri nuk ka arritur të bëjë shumë.

“Prandaj kemi votues më të pavendosur se kurrë më parë. Në fakt mungojnë reformat në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, ekonomisë dhe drejtësisë. Rruga e rëndësishme lidhëse ndërmjet Mitrovicës dhe Prishtinës është ende një kantier ndërtimi dhe vendimet e gjykatës ende mund të blihen. Kurti premtoi 160 kopshte, gjashtë u ndërtuan”.

Katër vjet më parë, thotë më tej gazeta austriake, VV-ja dhe partnerët e saj të koalicionit, Guxo dhe Alternativa, ishin shpresa e madhe. Por ndërkohë, shumë qytetarë e kanë kuptuar se me qeverinë e re nuk ka shpresë për ndryshim.

“Ne thjesht e kuptuam se është e pamundur që një parti ta rregullojë Kosovën. Për këtë arsye, shumë e kanë humbur entuziazmin”, thotë Jeta Xharra, kryeredaktorja e BIRN në Kosovë.

Si pasojë, disa nga më entuziastët e 4 viteve më parë, këtë radhë do të votojnë ndryshe, thekson gazeta austriake.

E teksa në shkrim nënvizohet se sondazhet e nxjerrin përpara në renditje, partitë opozitare duan të bëjnë koalicion kundër Vetëvendosjes pas zgjedhjeve.

Klan News