Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit është padyshim kryefjala e javës së 15-të në Superligën Shqiptare.

90 minutësh që i gjen dy ekipet në pozita të ndryshme në renditje, me të kuqtë që po përjetojnë një moment fantastik, teksa në krahun tjetër, bardheblutë  nuk po tregojnë ecurinë që pritej.

Pavarësisht kësaj, tifozeritë përgatiten jo vetëm për përkahjen e skuadrës në fushë, por edhe për të fituar ata vetë ndeshjen në tribuna, me koret e banderolat që brenda tyre mbartin gjithçka që këto dy skuadra e këto përballje kanë krijuar në dekada.

Kjo e bën derbin e Tiranës tërheqës edhe për tifozët asnjëanës, madje edhe për ata që sportin nuk e kanë pasionin më të madh, por që tërhiqen nga pasioni i turmave, koreografia, përkushtimi ndaj ngjyrave të zemrës. Përballje e fortë edhe për trajnerët në stol.

Veselinoviç debutoi në derbin e fazës së parë në pankinën e Partizanit, ku shënoi barazim pa gola, ndërsa në krahun tjetër, Gugash Magani përgatitet për derbin e 6-të.

Magani, i cili e ka drejtuar Tiranën edhe më parë, në sezonet 2013-14 e 2014-15, ka kaluar pesë ndeshje derbi, nga të cilat ka fituar një, barazuar tre e humbur dy.

Rastësitë me përvojën e parë si trajner i Tiranës janë të shumta. Edhe atëherë, Magani e mori skuadrën teksa bardheblutë luftonin për mbijetesë, ndërsa të kuqtë synonin titullin.

Partizani nuk arriti ta fitonte titullin, madje doli në vendin e gjashtë, ndërkohë që Tirana mbijetoi dhe e përfundoi kampionatin një vend më poshtë.

Këtë herë derbi do të jetë ndeshja e tretë e Maganit si trajner i bardhebluve, megjithatë në këtë rast suksesi mund t’i vlejë shumë Tiranës, por nuk do të ndikojë në shanset e Partizanit për titullin, për shkak të formulës së kampionatit.

Klan News