2 Tetor 2022. Ky është derbi i fundit që ka fituar Tirana. Bardheblutë siguruan suksesin me dy gola të Redon Xhixhës, i cili shfrytëzoi më së miri në atë kohë mungesën e përqëndrimit të futbollistëve të kuq. Që prej atëherë, 5 fitore të Partizanit dhe dy barazime.
Kjo është ajo që dhemb më shumë në radhët e tifozërisë bardheblu që këtë të shtunë shpresojnë të kthehet trendi me fitore të skuadrës së tyre.
Tirana nuk është kolauduar ende pasi ka patur shumë ndryshime në radhët e futbollistëve. Trajnerit Shkëmbi, ish-lojtar si i Partizanit ashtu edhe Tiranës, i del detyra e vështirë që jo vetëm të ndërtojë taktikën dhe strategjinë më të mirë të mundshme por edhe të motivojë lojtarët.
Kjo pasi shtatë prej lojtarëve të Tiranës e kanë për herë të parë pjesëmarrjen në derbi, nisur nga formacioni i ndeshjes së fundit kundër Elbasanit.
Shkëmbi do të ketë vetëm një mungesë, Përgjonin e dëmtuar me krisje të kockës.
Nga ana tjetër, të kuqtë janë të plotë. Trajneri Veselinoviç ka të gjitha mundësitë të bëjë zgjedhjet më të mira për çdo pozicion.
Të kuqtë janë më shumë të motivuar për të vijuar serinë e fitoreve edhe për faktin se vetëm 4 lojtarë të formacionit nuk e kanë përjetuar më parë një ndeshje të tillë ndërsa pjesa tjetër e di mirë se çfarë emocionesh të jep kjo sfidë.
Pritet që stadiumi ‘Air Albania’ të jetë i mbushur, sikurse ndodh zakonisht në derbin Partiani – Tirana.
Në biletarinë online dhe ato fizike janë shitur deri tani më shumë se 5000 bileta.
Tv Klan