Doganat e Kosovës deri në fund të vitit duhet t’i realizojnë mbi 1 miliard euro të hyra. Ky është projeksioni që Qeveria i ka vendosur Doganave me rishikim të buxhetit për këtë vit. Situata politike në Turqi nuk kanë ndikuar që të ulet importi i mallrave turke në Kosovë.

Kështu tha në një intervistë për KosovaPress, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili premtoi se doganat do të tejkalojnë projeksionet e të hyrave.

Ai ka thënë se në gjashtë mujorin e këtij viti, Doganat kanë realizuar 80 milionë  euro të hyra më shumë se sa në periudhën e njëjtë  të vitit paraprak. Sipas tij, ndikimi i MSA dhe ndryshimet në politikat fiskale nuk kanë pasur ndikime të mëdha në të hyra.

Rafuna shtoi se zhvillimet politike në Turqi nuk kanë ndikuar fare në shkëmbimin tregtarë me Kosovën. Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për katër muajt e parë të këtij viti, Turqia ka pjesëmarrje më të lartë të importit.

Në periudhën Janar-Prill të këtij viti nga Turqia janë importuar mallra prej 11.1 përqind të totalit të importeve në Kosovë./tvklan.al