Pas vetëdorëzimit në polici, Julian Gjoshi, autori i vrasjes së 50 vjeçarit, Alfred Dedja, është marrë në pyetje nga hetuesit. Para oficerëve të policisë ai ka treguar variantin e tij për ngjarjen, duke thënë se e qëlloi me armë viktimën pasi ai e shante dhe ofendonte vazhdimisht.
“Ndihesha i ofenduar, sa herë që takoheshim më shante e ofendonte. Fredi më shante edhe nëpër tavolina, ma kanë thënë të tjerët këtë gjë. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Të dielën e kam marrë në telefon dhe i kam thënë hajde se po të pres për kafe. Sapo ai u ul e qëllova me armë,” tha autori i vrasjes.
I riu ka deklaruar se e ka ndihmuar 50-vjeçarin dhe nuk e priste nga ai që ta ofendonte.
“Unë atë e kam mbajtur me lekë e bukë kur punonte menaxher te Golden, pronë e familjarëve të mi, ndaj nuk e durova dot këtë gjë. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë. Pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve,” deklaroi Julian Gjoshi.
Për të gjetur pistoletën që u përdor për vrasjen, policia u rikthye sërish në afërsi të vendit të ngjarjes. Krimi i rëndë ndodhi pasditen të dielës në një prej restoranteve në zonën e Ndroqit. Policia ka dyshime se vrasja është kryer pas prishjes së pazareve të drogës. Alfred Dedja, jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë dhe ishte me precedent penal në fushën e narkotikëve në shtetin fqinj.
Ndërsa Gjoshi, në Shqipëri është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Për këtë çështje, emri i tij përmendet në dosjen e SPAK për ish-deputetin socialist Jurgis Cyrbja, të cilit Altin Hajri, i kërkon të ndërhyjë për ta liruar nga burgu.
Klan News