Julian Gjoshi, autor i dyshuar i vrasjes së Alfred Dedjas, është dorëzuar në polici rreth 24 orë pas krimit. Policia e Tiranës thotë se ai ndërmori këtë vendim pas kontrolleve të shumta si dhe bllokimit të rrugë kalimeve dhge pamundësisë për të qëndruar i fshehur.
Pak pas mesditës së të hënës policia gjeti dhe mjetin Benz që po e shihni në pamje, me të cilin 26-vjeçari u largua pas krimit. Nga kontrolli rezultoi se arma nuk ishte brenda kësaj makine.
Klan News ka zbardhur të gjithë dinamikën e vrasjes së ndodhur pasditen e së dielës në një restorant në Ndroq të Tiranës. Fillimisht mes tyre ka pasur një debat për disa sekonda. Burime bëjnë me dije se 27-vjeçari Gjoshi nuk e ka nxjerrë pistoletën, por ka qëlluar nga brenda xhepit të xhupit që mbante veshur.
Policia është rikthyer edhe njëherë këtë të hënë në lokalin ku ndodhi ngjarja për të mbledhur provat e nevojshme. Mësohet se janë pyetur rreth 20 persona në komisariat, mes tyre dhe të afërm të viktimës dhe autorit.
Alfred Dedja jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë dhe kishte njohje me autorin. Pak ditë më parë ata kanë pasur edhe një konflikt mes tyre. Motivi i krimit ende nuk është zbardhur nga hetuesit, por paraprakisht dyshohet se shkak është bërë prishja e pazareve të drogës jashtë vendit.
Autori i dyshuar Julian Gjoshi, është me precedent penal për “armëmbajte paleje” dhe ka bërë 11 muaj burg. Emri i tij përmendet edhe tek vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën ndaj ish-deputetit e PS-së Jurgis Çyrbja. Në dosje thuhet se kunati i Gjoshit, Altin Hajri i kërkon ish-deputetit që ta ndihmojë për ta liruar atë nga burgu. Altin Hajri është në kërkim që prej janarit të 2020 për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Kryetari i opozitës Sali Berisha tha se i ekzekutuari është dëshmitar në vrasjen e Jani Prengës. Sipas kryedemokratit, vrasja e 50-vjeçarit është dëshmi e funksionimit si një sipërmarrje e përbashkët e krimit dhe shtetit.
Berisha tha se e gjitha kjo bëhet për të mbyllur aferën pasi për Jan Prengën u akuzuan kamerierët e Altin Hajrit, kurse ai vijon të jetë i lirë.
Klan News