Gjykata e Tiranës mbylli në qeli pa afat 26-vjeçarin Julian Gjoshi, si autorin e vrasjes së Alfred Dedjas, në një restorant në Ndroq të dielën. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjoshi nuk dha shpjegime, teksa avokatët kërkuan vlerësim psikiatrik të tij.
Kërkesa u pranua nga gjykata dhe do të kryhet për të sqaruar pretendimet se përdorimi i lëndës narkotike i ka shkaktuar çrregullim të shëndetit mendor dhe kjo ka ndikuar në marrjen e vendimit për të kryer vrasjen.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës po e heton Gjoshin për akuzën e vrasjes me paramendim. Në 2 dhjetor ai qëlloi me 5 plumba ndaj Alfred Dedjas, brenda ambienteve të restorantit, ku sapo ishin takuar me njëri-tjetrin. 3 plumba i morën jetën 50-vjecarit, që gjithashtu u zbulua se kishte qenë i armatosur.
26-vjeçari pretendon për hetuesit se shkak për ngjarjen është bëre dyshimi që kishte se ofendohej nga Dedja në mungesë të tij. Pas ngjarjes Julian Gjoshi, u largua nga vendngjarja për t’u vetëdorëzuar një ditë më vonë.
Tv Klan