E vrava pasi më shante pas krahëve.

Kështu mësohet të jetë shprehur përpara oficerëve të policisë, 26-vjeçari Julian Gjoshi, autori i vrasjes së Alfred Dedjes, pasditen e së dielës në një restorant në zonën e Ndroqit, në Tiranë.

Pasi u bind të vetëdorëzohej në polici gjatë së hënës, i riu Gjoshi ka treguar se me viktimën ka patur miqësi në të kaluar, madje ka shtuar se e ka ndihmuar shumë atë.

“Fredi më shante nëpër tavolina. Mua ma thanë të tjerët këtë gjë. Unë e kam pas shok dhe e kam mbajtur me bukë atë, ndaj nuk e durova dot këtë gjë. Erdha tek lokali dhe sapo e pashë e vrava. Armën e kam hedhur ne një kanal jo shumë larg nga vendi i ngjarjes”.

Referuar dinamikës së ngjarjes të së dielës, viktima 50-vjeçar ka qenë në restorant kur në brendësi të tij ka shkuar autori Julian Gjoshi. Sapo Alfred Dedja e ka parë, i ka shkuar në tavolinë të riut, i cili më pas e ka qëlluar 5 herë me pistoletën që kishte me vete. Arma ende nuk është sekuestruar nga policia.

Më pas ai është larguar menjëherë nga zona e Ndroqit me një automjet tip Mercedez Benz, që u gjet i braktisur gjatë së hënës në zonën e Shkëmbit të Kavajës nga policia.

Tv Klan