Për të dytën ditë radhazi ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i vënë nën akuzë për çështjen e sterilizimit, nuk mundi të dëshmonte në Komisionin Hetimor Parlamentar.
Pavarësisht seancës maratonë që zgjati për afro 16 orë, deri pas mesnate dhe ndërprerjeve të shumta të mbledhjes, opozita refuzoi të pyetej Beqaj pa shtyrë më parë afatin e punës së komisionit dhe pa dhënë dëshminë Kryeministri Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi.
Por vendimi i Konferencës së Kryetarëve që hodhi poshtë kërkesën e demokratëve për zgjatjen e afatit të punës së komisionit rriti edhe më tej tensionet mes palëve.
Në kulmin e debateve ajo që ndezi më shumë tensionin ishte hyrja brenda në sallë e ish-ministrit Beqaj dhe avokatit të tij, duke u përplasur me demokratët.
Ina Zhupa: Kush je që hyn këtu?
Albana Vokshi: Kush je ti mo, kush je ti?
Ilir Beqja u kthehet deputetëve: Me ty kam punë më vonë (pa mikrofon)
Kaq mjaftoi që situata të përshkallëzohej në komision, ku palët shkëmbyen replika mes njëri-tjetrit.
Albana Vokshi: Të guxojë Beqaj të futet dhe të kërcënojë deputetët e opozitës është skandal, askush nga ju mos flasë.
Ilir Metaj: Boll se mjaft të kemi duruar.
Prania në mbledhje si i paftuar i Beqajt e detyroi Vokshin të ndërpresë sërish komisionin teksa tha se ish-ministri mbahej peng nga deputetët socialistë deri pas mesnate në ambientet e Kryesisë.
Albana Vokshi: E kanë liruar që në 12:00 e kanë mbajtur peng këta (deputetët e PS) dhe guxon të hyjë në këtë mënyrë në sallën e mbledhjeve të komisionit. Garda, policia urgjent të kthejë Ilir Beqajn në qelinë e burgut tani.
Me rikthimin e Vokshit në sallë kjo e fundit vendosi ta ndërpresë përfundimisht mbledhjen, për të vijuar punimet të enjten, ditë që zyrtarisht shënon edhe afatin përfundimtar të punës së komisionit.
Pas përfundimit të komisionit selia blu doli me një deklaratë për mediat duke e cilësuar të rëndë ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit në ambientet e kuvendit, duke paralajmëruar se opozita do e vijojë punën e komisionit, pavarësisht qëndrimit të mazhorancës.
“Opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas! Do të bëjmë transparencë! Është në duart e atyre që i japin leje dhe garanci Ilir Beqes të fusë mjete të forta, hunj e drunj në Parlament, të shëtisë i lirë në çdo ambjent, e të kërcënojë deputetët e opozitës”.
Në kundërpërgjigje, avokati i ish-ministrit Beqaj publikoi një deklaratë të këtij të fundit.
“Nuk kam kërcënuar apo fyer askënd. I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë”.
Kjo e enjtje shënon edhe afatin e mbylljes së punës së komisionit hetimor, ku palët pritet të dalin me dy raporte, të cilat do t’i kalojnë për votim kuvendit.
Tv Klan