Pas rrëzimit të marrëveshjes së detit në vitin 2009 me Greqinë nga Gjykata Kushtetuese, ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se kishte arritur dakordësi me dy qeveri greke që çështja e detit mes dy vendeve të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Në një lidhje telefonike për emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha deklaroi se çështja nuk shkoi në Gjykatë Ndërkombëtare për shkak të ndërrimit të pushtetit.

“Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, në vitin 2010 ka qenë qeveria e PASOK, kanë insistuar që rinegocionojmë, ju kemi bërë të qartë që nuk ka rinegociim, prandaj le të shkojmë në Gjykatën e Hagës. Pas hezitimesh, ata ranë plotësisht dakord. Pas tyre erdhi në pushtet Samaras, i cili ra dakord për Gjykatën e Hagës. Ne arritëm një marrëveshje, dhe dy qeveritë greke ranë dakord të shkonim në Hagë. Pastaj u ndërrua pushteti dhe unë këtë dakordësi ja përcolla menjëherë atyre që erdhën në pushtet. Ekzistojnë një seri deklaratash të mi në takime me zyrtarët më të lartë të Greqisë. Insistimi për të shkuar në gjykatë, dakordësia për të shkuar në gjykatë, vetë Rama ka deklaruar se Samaras i ka thënë do shkojmë në Gjykatë. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte një marrëdhënie serioze, ishte një marrëveshje serioze. Nuk mund të ulesh me qeverinë tjetër 1 vit dhe t’i thuash pas 1 viti se ne kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Momenti aktual për të shkuar në Gjykatë Ndërkombëtare për ndarjen e detit, Berisha thotë se nuk është në favor të Shqipërisë.

“Kur ishte më mirë Shqipëria, kur shkonte në Hagë me Greqinë 6 milje apo sot që shkon në Hagë me Greqinë 12 milje? Marrëveshja u rrëzua mbi një hartë të falsifikuar”.

/tvklan.al