Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me ngjarjet të dielën në stadiumin “Arena e Demave” në Tufinë gjatë ndeshjes Partizani-Tirana. Policia thotë se janë arrestuar tre tifozë ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pesë të tjerë.
Të proceduar janë edhe një përfaqësues i Partizanit, më saktësisht Sekretari i Përgjithshëm i klubit dhe delegati i ndeshjes nga FSHF.
“Në përfundim të veprimeve hetimore: U arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së Rendit Publik dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” shtetasit: E. I., 26 vjeç, E. V., 31 vjeç dhe L. I., 29 vjeç. U proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” shtetasit: M. S., 31 vjeç, A. Q., 23 vjeç, I. Xh., 37 vjeç, R. B., 30 vjeç dhe A. R., 17 vjeç. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës” sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani, shtetasi G. B dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, shtetasi M. S”, njoftoi policia.
Policia e Tiranës sqaron opinionin publik se e pati njoftuar Partizanin, si organizator i ndeshjes, se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi duke krijuar rrezik për indicente të mundshme.
Por sipas tyre, pavarësisht njoftimit ka munguar një përgjigje zyrtare nga organizatorët e sfidës. Megjithatë Policia e Tiranës ka marrë masa për të shmangur përshkallëzimin e situatës e për këtë arsye janë angazhuar 276 punonjës policie, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
“Përpjekjet e Policisë së Tiranës për të mbajtur situatën nën kontroll kanë qenë maksimale, por mbetet e qartë se mungesa e bashkëpunimit nga organizatorët dhe infrastruktura e papërshtatshme e ka vështirësuar ndjeshëm detyrën e policisë, duke e rënduar ngarkesën operacionale dhe duke ekspozuar efektivët ndaj rreziqeve të panevojshme. Po ashtu, situata e krijuar ka rrezikuar jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe sportdashësit, lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të cilët mund të ishin ekspozuar ndaj akteve të dhunshme dhe pasojave të mundshme të tyre”, njoftoi policia, e cila në fund bën thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë me organizatorët dhe institucionet përkatëse.
Kujtojmë se si pasojë e dhunës para fillimit të derbit mbeti i lënduar edhe një punonjës policie që u godit me sende të forta.
Ndërkohë klubi i Partizanit në një reagim të dielën tha se incidentet mund të ishin shmangur, por policia mbërriti me vonesë.
“Pamjet e shëmtuara të dhunës, të ndodhura para fillimit të takimit, janë një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së koordinimit, bashkëpunimit dhe gatishmërisë nga ana e Policisë”, njoftoi Partizani./tvklan.al