Prokuroria e Tiranës ka lexuar pretencën për veprën penale të dhunës në familje për Princ Lekën, ish-bashkëshorten Elia Zaharia dhe babain e kësaj të fundit. Organi i akuzës ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për Princ Lekën, 6 muaj heqje lirie për Elia Zaharian dhe 1 vit burg për Gjergj Zaharian.

Organi i akuzës në përfundim të konkluzioneve të tij ka kërkuar pezullimin e dënimit me burg për të 3 dhe vendosjen e tyre në shërbim prove.

Kujtojmë se si Princ Leka edhe Elia Zaharia kanë bërë kallëzim ndaj njëri-tjetrit për dhunë në komisariatin nr.1 në kryeqytet në Mars të këtij viti.

Ishte një video e bërë publike po në atë muaj që nxorri hapur përplasjet mes ish-çiftit tashmë. Në hollin e rezidencës mbretërore vetë Princ Leka regjistroi një skenë përplasjeje verbale e jo vetëm mes tij dhe Elia Zaharias. Kjo e fundit pretendonte se ai i kishte dhunuar të atin, ndërsa Princi ka deklaruar krejt të kundërtën.

Ndarjen e tyre e konfirmoi përmes një reagimi në rrjetet sociale Elia Zaharia, në Janar 2024. Ndërsa me vendim të Gjykatës së Tiranës, ata u divorcuan në Prill.

/tvklan.al