Policia në kërkim të autorëve
Ky është dëmtimi që i është bërë memorialit, në kujtim të viktimave të grushtit të dështuar të shtetit, tre vite më parë në Turqi.
Pllaka e vendosur pranë Liqenit Artificial të Tiranës, ku janë shkruar emrat e 365 njerëzve që humbën jetën, është goditur me sende të forta në anën e majtë të saj nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit.
“Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e kriminalistikës kanë urdhëruar jo vetëm mbulimin, por edhe rrethimin e memorialit me tela.”
Punonjësit e Bashkisë Tiranë janë angazhuar për mbulimin dhe sigurimin e memorialit që shkaktoi mjaft polemika. Kjo nuk është hera e parë që ai përdhoset. Kohë më parë ai u mbulua me letra higjienike, në shenjë proteste.
Kjo pllakatë u vendos në 15 Korrik, në parkun e liqenit Artificial, në zonën përballë Liqenit të Thatë. Përkujtimi i grushtit të dështuar të shtetit ndaj pushtetit të Recep Tayyip Erdogan në Korrikun e 2016-s, shkaktoi reagimin e studiuesve dhe njerëzve të thjeshtë, pasi sipas tyre, ngjarja dhe viktimat që përjetësohen përmes këtij memoriali nuk i përkasin kombit shqiptar.
Në një reagim të saj Bashkia e Tiranës tha në atë kohë se kryeqyteti është i hapur për të gjithë.
Tv Klan