Disa persona, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar Sokol Mëngjesin, një nga avokatët e Sali Berishës.
Mëngjesi ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është normale”, njoftoi policia.
Sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, Mëngjesi është dhunuar me leva nga 3 persona. Ata e kanë goditur kur Mëngjesi ka qenë duke çuar djalin në kopësht.
Sapo të mbarojë së marrë mjekimin e nevojshëm, ai do të merret në pyetje nga uniformat blu. Sipas të njëjtave burime, Mëngjesi i janë shkaktuar fraktuar në kokë.
Deri më tani nuk dihen arsyet dhe motivet e kësaj ngjarje. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e plota të saj.

Kush është Sokol Mëngjesi
Sokol Mëngjesi së fundmi njihet për faktin se së bashku me Genc Gjokutajn formojnë dyshen e mbrojtjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Prej vitit 2010 ai ka punuar si Profesor në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2016 mban titullin akademik “Profesor”.
Mëngjesi është anëtar i disa bordeve dhe komisioneve të rëndësishme të institucioneve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Po ashtu është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.
Sokol Mëngjesi mban firmën si autor i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare./tvklan.al
