Një takim është zhvilluar paradite ndërmjet krerëve shtetëror dhe ekipit negociator të Kosovës. Në takim është diskutuar për detajet e platformës së dialogut, e cila zyrtarisht do të dorëzohet të premten. Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti, ka thënë se në platformë nuk përfshihet korrigjimi i kufijve.
“Nuk ka befasi, mbesim besnikë ndaj Kushtetutës ashtu siç është. Jo, nuk përfshihet korrigjimi i kufijve. Absolutisht jo”.
Në takim është diskutuar edhe për letrën e dërguar nga SHBA-ja, lidhur me heqjen e taksës. Ahmeti tha se nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me qëndrimin e Haradinajt për taksën.
“Nuk jemi të fortë karshi të tjerëve, nëse s’ka dakordancë mes krerëve të institucionit. Ky është vendim i qeverisë, nuk duhet ta lemë kryeministrin vetëm në këto tema nacionale. Është e qartë se ka filluar të eskalojë marrëdhënia me SHBA-në mirë po nuk e besoj që do të prishen për shkak të taksës”.
Pas presioneve për pezullimin e taksës dhe një letre dërguar nga SHBA-ja me paralajmërim për thellim sanksionesh, krerët e shtetit të Kosovës janë mbledhur dhe mbrëmë, por Haradinaj nuk zmbrapset nga qëndrimet e tij, derisa Thaçi e Veseli kërkojnë pezullimin e saj.
Tv Klan