Emisari europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur për takimin e javës së kaluar mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç.

Në një postim në Facebook, Lajçak shkruan se në takimin e 24 Tetorit nuk u shënuan hapa përpara mes palëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve, por u shfaq optimist për përparime të arritura në disa çështje.

“Javën e kaluar, unë prita një raund tjetër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në nivel të Kryenegociatorëve, me fokus në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit. Megjithëse nuk bëmë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të arritura në disa çështje të tjera kyçe, të cilat do t’i ndjekim në javët e ardhshme”, ka shkruar ai.

Lajçak, mes tjerash, ka folur edhe për një takim tjetër që pati gjatë javës që lamë pas me Artur Lorkowski, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

“Gjithashtu pata rastin të takohem me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për të diskutuar bashkëpunimin energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e integrimit në tregun e BE-së në mes të kompleksitetit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi”/klankosova