Ka dështuar të mbahet takimi i komisionit të përbashkët për persona të zhdukur ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel. Takimi nuk është realizuar pasi pala serbe ka refuzuar për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe nga Ministria e Punëve të Brendshme në Koordinim me Policinë e Kosovës.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç tha se Kurti  nuk do dialog, por dhunë.

“Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme, por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm”.

E në reagimin e tij kryetari i komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, thotë se nuk e ka të qartë se pse Petkoviç ishte në Bruksel, pasi takimi ishte në nivel të grupeve punuese.

Në mëngjesin e së mërkurës, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.

Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt. Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”.

Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se aksioni i sotëm nuk është bërë me autorizimin e Prokurorit të Shtetit. Sipas komunikatës së prokurorisë nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtyre aksioneve nga ana e institucioneve gjegjëse.

Sipas kësaj prokurorie pasi nuk janë përfillur procedurat e nevojshme nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshoj kurrfarë autorizimi. Aksione të tilla janë duke u zhvilluar në mes të fushatës elektorale. Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 9 shkurt.

Tv Klan