I gjithë vendi është përfshirë me reshje shiu dhe dëbore duke shkaktuar probleme në lëvizjen e mjeteve në disa akse rrugore.

Në qarkun e Dibrës, Rruga e Arbrit është e pakalueshme pasi ka reshje bore të dendura. Policia ka vendosur postbllok në rrethrrotullimin e Klosit duke drejtuar mjetet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Milot.

Trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës ka arritur rreth 30 cm, ndërsa në zonat e thella deri në 50 cm. Mjetet e kompanive kontraktore kanë hapur rrugët e qyteteve Peshkopi e Bulqizë, por janë të bllokuara ende njësitë adminiatrative.

Rrugët që lidhin Peshkopinë me Kukësin dhe Librazhdin janë të kalueshme pjesërisht me zinxhirë.

Problematika ka pasur edhe në rrugët drejt Thethit e Tamarës. Borëpastrueset janë në terren për të mbajtur rrugët e hapura.

Ndërkohë aksi rrugor Kir-Shosh është i bllokuar për shkak të shembjeve të dheut dhe reshjeve të borës.

Njësitë Administrative Shalë, Shosh, Postribë, Rrethina, Gur i Zi, Velipojë dhe Ana e Malit në Qarkun Shkodër kanë probleme me furnizimin me energji elektrike.

Në qarkun e Kukësit në akset drejt zonave të thella, lëvizja kryhet me zinxhirë. Në disa fshatra të thellë raportohet për mungesë të energjisë elektrike.

Pas shiut, edhe qarku i Lezhës është përfshirë edhe nga stuhitë e deborës. Dëbora mbuloi edhe qytetin e Lezhë, por pa shkaktuar probleme për automjetet dhe kalimtarët.

Në Bashkinë Kurbin për shkak të dëborës u bllokua aksi rrugor që lidh qytetin e Laçit me Kishën e Sh’na Ndoit. Si pasojë e dëborës së rënë, disa makina që kishin shkuar për pelegrinazh në vendin e shenjtë, mbetën të bllokuara derisa mjetet e bashkisë ndërhynë për hapjen e rrugës.

Ndërkohë si rezultat i erës së fortë, në disa zona rurale të qarkut Lezhë ka ndërprerje të energjisë elektrike.

Edhe juglindja është përfshirë nga reshjet e dëborës me intesitet të ulët. Drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes në fshatrat Dardhë, Vithkuq e Panarit ku trashësia e dëborës shkon në 20 centimetra.

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, Policia Kufitare Greke njoftoi autoritetet shqiptare se deri në një njoftim të dytë, nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë, përfshirë edhe autobusët, nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Kapshticë, në drejtim të shtetit grek.

Këtë të dielë nën petkun e bardhë të dëborës është gdhirë dhe qyteti i Pogradecit. Stuhitë e dëborës dhe temperaturat e ulta kanë shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve në rrugën kombëtare Qafë Thanë-Prrenjas-Librazhd, ku u krijuan radhë kilometrike automjetesh.

Policia Rrugore shtoi praninë e saj, por situate mbetet ende problematike për shkak të pranisë së madhe të dëborës dhe ngricave.

Në Vlorë, reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë sjellë sërish përmbytje. Situatë më problematike u krijua në rrugën “Hasan Kushta” në lagjen Pavarësia, ku niveli i ujit arriti deri në 1 metër duke rrezikuar bizneset dhe shtëpitë.

Tv Klan