Në Dibër pritet të nisë numërimi i votave nga ku do të mësohet  se kush do të jetë kryetari i ri i bashkisë.

Në garë janë Sherefedin Shehu i Partisë Demokratike dhe Muharrem Rama i Koalicionit për Shqipërinë Europiane.

Të 118 kutitë e votimit gjenden në KZAZ 19 me dokumentacion të rregullt dhe kodet përkatëse.  Drejtues të KZAZ-së thanë se numërimi pritet të nisë rreth mesnatës, pasi të jenë sistemuar të gjitha materialet zgjedhore.

Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 sipas ligjit, ndërsa pjesëmarrja në votime sipas KQZ ishte 60 për qind.

Të dyja kampet nuk kanë nguruar të shfaqin nota optimizmi për rezultatin, duke kërkuar që edhe procesi i numërimit të përmbyllet sa më shpejt.

Pas përfundimit të procesit të votimit në Dibër, deputetja e PS, Blerina Gjylameti, në një deklaratë për mediat tha se procesi i votimit ishte sipas standardeve. Ajo tha se organet ligjzbatuese të kujdesen për transportin e kutive, ndërsa tha se forcat politike të pranojnë rezultatin.

Më herët gjatë ditës, votimi shkoi i qetë ku përveç disa incidenteve të vogla në fshatra, nuk janë raportuar raste të cënimit të procesit. Gjithësesi shtabet elektorale të të dy kampeve shkëmbyen akuza për tentativa manipulimi të procesit.

Akuzat më të rënda erdhën nga Partia Demokratike e cila njoftoi se Admir Tupja, Shef i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Dibër, ishte parë duke shpërndarë para në këmbim të votës në favor të kandidatit të Partisë Socialiste.

diber votat

Sipas selisë blu, Tupja dyshohet se para disa javësh ka marrë 28 mijë euro në këmbim të një sasie droge. Opozita denoncoi gjithashtu edhe me foto tentativën sipas saj të Partisë Socialiste për të blerë votën e dibranëve, me thasë mielli. 17 persona në qytetin e Peshkopisë dhe një në fshatin Burim të Maqellarës janë proceduar penalisht pasi janë kapur duke fotografuar votën e tyre për kandidatin e PS.

Tv Klan