Yahya Sinwar udhëhoqi Hamasin brenda Gazës që nga viti 2017. Ai iu bashkua radhëve të tij në fillim të viteve 1980. Pas vrasjes së Ismail Haniyeh në Teheran në korrik, Sinwar e pasoi si kreu i byrosë politike, duke marrë kontrollin e të gjithë grupit. Ai ishte arkitekti i sulmeve të 7 tetorit dhe terroristi më i kërkuar nga Izraeli. Një “kufomë që ecën”, sipas kryeministrit Benjamin Netanyahu. Rreth një vit nga fillimi i luftës së fundit në Gaza ai u vra gjatë një operacioni në qytetin Rafah.

Sinwar lindi në një kamp refugjatësh në Khan Younis, në jug të Gazës, në vitin 1962. Ai studioi arabisht në Universitetin Islamik të Gazës. Këtu u lidh me dy themeluesit e Hamasit, sheikh Ahmed Jasin dhe Mahmoud al-Zahar. Sipas raporteve izraelite, Sinwar kishte mandatin për të vrarë këdo që dyshohej se bashkëpunonte me izraelitët. Ai u arrestua për herë të parë për aktivitete subversive në vitin 1982. Në burg, u takua me anëtarë të tjerë kyç të Hamasit, duke përfshirë Salah Shehade, ish-udhëheqësin e krahut të tij ushtarak të Brigadave al Qassam.

Në vitin 1988 ai ndihmoi në rrëmbimin dhe vrasjen e dy ushtarëve të Forcave të Mbrojtjes izraelite, për këtë u dënua me 22 vjet burg. Pavarësisht se ishte i burgosur, Sinwar e përdori kohën në avantazhin e tij duke mësuar rrjedhshëm hebraisht për të kuptuar më mirë armikun. I ngjiti shkallët e Hamasit duke u bërë fillimisht udhëheqës i të burgosurve palestinezë në Izrael.

15 vjet pas dënimit me burg, ai shkoi në televizionin izraelit dhe foli në hebraisht, duke bërë thirrje për një armëpushim me Hamasin. U lirua në vitin 2011 gjatë shkëmbimit të mbi 1000 të burgosurve palestinezë me ushtarin izraelit Gilad Shalit që mbahej peng në Gaza.

Sinwar zëvendësoi Ismail Haniyeh si lider të Hamasit në Gaza në fillim të vitit 2017 dhe u rizgjodh në vitin 2021, duke i mbijetuar më vonë një atentati. Tre vjet më vonë, pas vrasjes eventuale të Haniyeh në Teheran, Sinwar do ta pasonte atë edhe një herë si shef politik.

Si udhëheqës, ai shtoi përdorimin e forcës nga grupi, duke rritur protestat dhe lëshimin e raketave në kufirin izraelit.

Ai lexonte gazetat izraelite çdo ditë. I kuptonte izraelitët shumë më mirë sesa ata e kuptonin atë. Sinwar-i kishte aftësi mbresëlënëse për t’i mashtruar dhe për t’i kapur në befasi izraelitët, ndaj dhe ekzekutoi operacionin e ushtarak të 7 tetorit 2023 në mënyrë aq efektive.

Klan News