Lideri i Hamasit, Yahya Sinwar, u konfirmua i vdekur. Konfirmimi i parë zyrtar erdhi nga ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz. Më herët, ushtria izraelite deklaroi mundësinë e vrasjes së tij, por kërkoi kohë për të bërë verifikime nëpërmjet testeve të ADN-së mbi trupin e tij.
Ministri Katz tha shkurt në një deklaratë: “Vrasësi Yahya Sinwar, i cili ishte përgjegjës për masakrën dhe mizoritë e 7 tetorit, u vra nga ushtarët e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit”.
Ai e quajti vdekjen e kreut të Hamasit një “arritje të madhe ushtarake dhe morale për Izraelin”.
“Eleminimi i Sinwar-it krijon mundësi për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe një ndryshim të mundshëm që mund të sjellë një realitet të ri në Gaza pa Hamasin dhe pa kontrollin iranian,” tha zoti Katz.
Aksioni për vrasjen e Sinwar-it nuk ishte i parapërgatitur. Sipas një deklarate të ushtrisë ai u vra në Rafah të Gazës Jugore gjatë kohës kur një tank i ushtrisë izraelite hapi zjarr pasi tre terroristë të dyshuar po vraponin nga një ndërtesë në tjetrën.
Fillimisht në rrjet qarkulluan fotografitë e një trupi të vdekur të mbetur nëpër rrënoja dhe pranë tij ushtarë izraelitë. Pamja e burrit në foto është shumë e ngjashme me Sinwar-in. Atij i duket e hapur një plagë në kokë, dhe dallohet teksa mban veshur një jelek ushtarak.
Sipas burimeve, ushtria fillimisht ia konfirmoi vrasjen e Sinwar-it kabinetit të luftës dhe më pas qeveria Netanyahu njoftoi familjarë të pengjeve. Deri më tani, Izraeli është treguar i kujdesshëm për të kryer operacione për vrasjen e Yahya Sinwar pasi ai është mbrojtur fizikisht me pengje izraelite.
Sinwar ishte një nga arkitektët kryesorë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe Izraeli është zotuar ta vrasë që nga fillimi i luftës në Gaza.
Klan News