Diplomat e 210 studente të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, rrezikojnë t’i lenë ata jashtë tregut të punës. Sipas tyre dëshmia e përfundimit të 4 viteve studimore, nuk u jep atyre asnjë titull, pasi nuk është bazuar as në ligjin e katër viteve më parë, kur ata fituan të drejtën e arsimit të lartë, as në atë aktual që përcakton diplomimin sipas niveleve.

“Neve kemi marrë një diplomë ku shkruhet “Diplomë 4-vjeçare në drejtësi” kaq. Ndjehemi në disavantazh në momentin që ne aplikojmë për punë në një vend, në një institucion apo në ndonjë subjekt juridik privat apo shtetërorë qoftë ai”.

“Diploma jonë nuk ka asnjë nivel. Ne kërkojmë të marrim diplomë sipas ligjit gjithashtu kërkojmë edhe titullin jurist. Diploma jonë nuk e jep titullin jurist”.

“Është një diplomë e pa vlefshme, është një copë letër, pra 4 vite të hedhura dëm kur ne përmbushim të gjitha kriteret që përmban ligji”.

Protesta e studenteve ka mbetur jashtë dyerve të universitetit, pasi një pjesë e mirë e administratës ndodhet ende me pushime.

Ornela Hila: “Me gjithë protestat 2 javore të studentëve te Fakulteti i Juridikut por edhe të tjerëve të cilët janë diplomuar sivjet dhe kanë marrë një diplomë praktikisht të pa vlefshme. Nga ana e rektoratit nuk ka asnjë reagim as për mediat dhe as për studentët”.

Në një peticion dërguar Ministrisë së Arsimit, studentet kërkojnë specifikimin e titullit në diplomë dhe mosdiferencimin e tyre nga studentet e Universitetit të Tiranës./tvklan.al