Diplomatët e lartë nga Shtetet e Bashkuara, Lidhja Arabe dhe Turqia u takuan në Jordani për të diskutuar se si mund të ndihmojnë Sirinë gjatë tranzicionit pas rënies së qeverisë së Bashar al-Assadit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ministrat e Jashtëm dhe zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të gjetur një konsensus lidhur me përparësitë që ata mendojnë se duhet të ketë udhëheqja e re e Sirisë.
Blinken tha në një konferencë për shtyp se SHBA ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me fraksionin rebel Hayat Tahrir al-Sham, i cili udhëhoqi ofensivën që përmbysi presidentin Bashar al-Assad.
“Po, ne kemi qenë në kontakt me Hayat Tahrir al-Sham dhe me palë të tjera. Amerika dhe partnerët tanë kanë një pikësynim të rëndësishëm për të ndihmuar popullin sirian drejt kësaj rruge të re. Ne e dimë se ajo që ndodh brenda Sirisë mund të ketë pasoja të mëdha edhe përtej kufijve të saj, nga zhvendosja masive e terrorizmit. Nuk mund të nënvlerësojmë sfidat e këtij momenti”, tha Blinken.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Kaja Kallas tha se unioni është gati të bëjë më shumë për Sirinë.
“Siria përballet me një të ardhme shpresëdhënëse, por të pasigurt. Dhe kjo është arsyeja pse ne të gjithë ramë dakord për parimet që duhet të ndjekë edhe udhëheqja e re e Sirisë dhe këto janë stabiliteti, sovraniteti, integriteti territorial i Sirisë, por edhe respekti për pakicat, mosradikalizimi, ndërtimi i institucioneve, uniteti i qeverisë që përfshin të gjitha grupet në Siri dhe gjithashtu përgjegjësia për krimet e kryera. Bashkimi Evropian është i gatshëm të bëjë më shumë”, tha Kallas.
Në tavolinë të diskutimeve nuk ka qenë asnjë përfaqësues sirian. Ndërkohë, fqinja veriore e Sirisë, Turqia, e cila ka kërkuar me vite rrëzimin e Assadit, pritet të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimet në Damask. Rusia dhe Irani, mbështetësit kryesorë të Assadit, nuk u ftuan në këtë takim.
Ndërkaq Rusia po tërheq ushtrinë e saj nga vijat e frontit në veri të Sirisë, por nuk po largohet nga dy bazat e saj kryesore në vend pas rënies së presidentit Bashar al-Assad, thanë disa zyrtarë sirianë për Reuters.
Klan News