Diplomacia perëndimore është vënë në lëvizje për të shmangur shpërthimin e një lufte të madhe në Lindjen e Mesme, nga konfrontimi mes Izraelit dhe Iranit.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-ës u mblodhën këtë të enjte në Kapri të Italisë, për të diskutuar sanksionet e reja që pritet t’i vendosen Teheranit, si ndëshkim për sulmin e fundjavës me 300 dronë dhe raketa të hedhura ndaj Izraelit.
Mikpritësi i takimit, Antonio Tajani tha se pavarësisht partneritetit të ngushtë me Izraelin, aleatët duhet të shmangin me çdo kusht shpërthimin e një lufte mes dy fuqive rajonale, që do të kishte pasoja katastrofike për gjithë botën.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell shprehu nevojën urgjente për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Iranit për të shmangur këtë përshkallëzim.
Të Mërkurën, krerët e vendeve europiane diskutuan mbi llojin e sanksioneve, që variojnë nga bllokimi i plotë i importeve të naftës nga Irani, ndalimi i eksporteve nga firmat europiane të pjesëve për prodhimin e armatimeve, si dhe kufizime të ashpra për krerët e republikës islamike.
Tv Klan