Ndalesa e radhës për prezantimin e Skemës Kombëtare të Investimeve ishte me fermerët e Lushnjes. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku dhe Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj nënvizuan se mbështetja do të jetë në disa drejtime, jo vetëm në subvencione.
“E dini ju se kush janë kërkesat kryesore që kam marrë kohët e fundit ju e dini sepse një pjesë prej jush m’i ka bërë, janë rrugët të cilat të çojnë drejt parcelave tuaja, ose nga ana tjetër është energjia elektrike që tashmë nuk bëhet fjalë të shkojë në lagjet e banuara, por bëhet fjalë që të shkojë pranë serrave tuaja.”
Ministrja Anila Denaj u shpreh se Skema Kombëtare e Investimeve do të mbështesë sektorin e blegtorisë, serrave, por dhe akuakulturën.
“Edhe sektori i blegtorisë së bashku me atë të serrave ka marrë një vëmendje të rëndësishme në këtë skemë kombëtare. Si? Duke ndihmuar në rritjen e sipërfaqeve në hektarë në investime në serra dhe duke kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në ndërtime të reja për stabilimentet të mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve, edhe akuakultura si një zë shumë i rëndësishëm, produktet peshkore të zëna në det nëpërmjet sistemit të akuakulturës.”
Aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve do të jenë të hapura për të gjithë fermerët dhe blegtorët deri me 8 Nëntor të këtij viti.
Klan News