Armëpushimi i brishtë midis Izraelit dhe Hamasit është tani në ditën e tij të dytë. Në Rripin e Gazës, mëngjesi i kësaj të hëne ishte ndër më të qetët ku qindra mijëra banorë të shpërngulur po rikthehen në vendbanimet e tyre, por shumica ka gjetur vetëm rrënojat nga lufta shkatërrimtare.

Jomaa Shadi ishte një nga ata që u kthye për të parë shtëpinë e tij në veri të Nuseirat.

“Ndalimi i gjakderdhjes është një ndjenjë e papërshkrueshme. Falënderoj Zotin që e mbijetova shëndoshë e mirë këtë luftë. Megjithatë, kur u kthyem në shtëpitë tona, nuk gjetëm gjë tjetër veçse rrënim dhe shkatërrim. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë”, thotë Jomma Shadi.

Pamjet me dron të publikuara nga Kombet e Bashkuara tregojnë shkatërrime të mëdha në zonën Safataëi në Gazën veriore , ndërsa të zhvendosurit filluan të ktheheshin në lagjet e bombarduara.

Pengu britaniko-izraelit Emily Damari nëpërmjet një postimi në Instagram e ka cilësuar lirimin ditën më të lumtur në jetën e saj. Ajo dhe dy gra të tjera u liruan nga Hamasi thuhet se janë në gjendje stabile dhe po i nënshtrohen më shumë kontrolleve mjekësore në spital.

Dashuri, dashuri, dashuri”, falënderoj Zotin, familjen dhe miqtë më të mirë që kam në këtë botë”, shkruan Emily.

Gjithashtu edhe nëna e saj falenderon njerëzit që kanë luajtur një rol në sjelljen e Emily në shtëpi.

Nëntëdhjetë të burgosur palestinezë u liruan brenda natës në këmbim të pengjeve – shumica prej tyre gra dhe djem adoleshentë. Disa nga të burgosurit e liruar përshkruajnë “gëzim të papërshkrueshëm”, teksa u fotografuan duke përqafuar të dashurit e tyre në lot.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka lëshuar një deklaratë, pasi realizoi me sukses shkëmbimin e parë të armëpushimit të tre pengjeve izraelitë dhe 90 të burgosurve palestinezë duke e cilësuar operacionin kompleks nën masa rigoroze sigurie.

Këtë javë do të lirohen edhe 4 pengje të tjerë. Marrëveshja parashikon që gjatë 6 javëve, fazës së parë të zbatimit të saj të lirohen edhe 30 pengje të tjerë izraelitë nga rreth 100 që janë aktualisht në duart e Hamasit, në këmbim të më shumë se 1800 të burgosurve të tjerë palestinezë.

Është rënë dakord që çdo peng izraelit të shkëmbehet me 30 të burgosur palestinezë.

Klan News