Partia Demokratike ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në nder të festës së Pavarësisë dhe Çlirimit. Kryetari i PD vuri një kurorë me lule në memorial ndërsa tha se shqiptarët u përulen me mirënjohje të thellë heronjve dhe dëshmorëve të kombit tonë.
“Sot kremtojmë ditën më të bukur të Kombit tonë që mbush me krenari zemrat e shqiptarëve, kudo ku ndodhen dhe na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi, e në nderimin e bijve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka në emër të Kombit dhe nën flamurin kuqezi. Ne përulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit tonë, luftëtarët e Pavarësisë dhe të rënët për çlirimin nga pushtuesit, tek bijtë dhe bijat e Kosovës e mbarë kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në trojet e tyre stërgjyshërore. Sakrifica e tyre sublime, na frymëzon për plotësimin e aspiratës europiane të shqiptarëve për bashkim, liri dhe demokraci. Gëzuar 28 Nëntorin! Zoti e bekoftë Flamurin tonë kombëtar, Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, tha Basha./tvklan.al