Rugët kryesore të Tiranës janë mbushur me detaje dhe simbole të festës së Ditës së Verës, e cila e favorizuar edhe nga koha me diell, ishte idealja për qytetarët që mbushën rrugët plot.
“Dita e Verës është një ditë e lashtë nga Elbasani, ku qytetarët kën festuar rigjallërimin e natyrës në stinën e Pranverës”, raporton gazetarja Anisa Krraba.
Muzikë, panaire të produkteve bujqësore dhe artizanale, lojra sportive ishin disa prej 35 aktiviteteve që Bashkia e Tiranës organizoi për këtë festë traditë. Ato që morën vëmendje ishin padyshim stendat me bollokume të bëra nga zonjat e Elbasanit.
“I kemi bërë për 2-3 ditë që të jenë sa më të freskëta. Kemi 5 vite që vijmë këtu.”
Përveç bollokumes, Adile Saliu tregon se cilat janë produktet që s’duhet t’i mungojnë kësaj feste.
“Kemi edhe ato veroret, veza, dilnim në lulishte dhe festonim.”
Një urim për këtë ditë e ndau edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili e quajti edhe më të bukur me ardhjen e shqiptarëve nga trevat për këtë ditë, por edhe turistëve.
“Kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi dhe vërtetë gëzohem kur shikoj një pafundësi turistësh, do të thotë se stina e turizimit në Tiranë ka filluar dhe para se të fillojë sezoni turistik.”
Fëmijët janë padyshim ata që e shijojnë më shumë këtë ditë.
“Më ka pëlqyer atmosfera që ka muzikë, ka aktivitete të ndryshme.”
“Veroren e kam vënë.”
“Gëzuar Ditën e Verës.”
Festimet do të vazhdojnë edhe në darkë me artistë të njohur që do të ngjiten në skenat e ngritura përgjatë bulevardit kryesor.
Tv Klan