Kjo e shtunë përkon me Ditën Ndërkombëtare të Pastrimit të Bregdetit. Për këtë arsye Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka marrë nismën për një organizim masiv pastrimi.
Bashkë me pjesëmarrjen e bashkive bregdetare, shkollave, qytetarëve e grupeve vullnetare ka nisur pastrimi i bregdeteve në Velipojë, Kune, Hamallaj, Divjakë dhe Nartë.
Nga qyteti i Durrësit gazetarja e Klan News, Enkeleda Arapi raporton se puna për pastrimin e vijës bregdetare tashmë ka nisur. Të pranishëm në këtë aksion pastrimi janë grupe vullnetare përfshirë edhe pjesë të administratës, institucioneve, universiteteve apo shkollave. Gazetarja ndër të tjera thekson edhe problematikën e menaxhimit të mbetjeve nga turistët ku shprehet se këto të fundit vijojnë të hedhin mbeturinat jo në vendet e caktuara.
Ndërkohë në plazhin e Shëngjinit ndodhet gazetari i Klan News, Martin Marku i cili thekson se vija bregdetare e Lezhës është cilësuar si një nga zonat më të pastra në të gjithë Shqipërinë. Ai thekson se nga bashkia janë marrë disa herë iniciativa pastrimi. Sa i përket ditës së sotme gazetari shprehet se të pranishëm janë punonjësit e bashkisë, njësitë administrative të Shëngjinit dhe Talës që janë angazhuar, vullnetarë si dhe përfaqësues të drejtorive përkatëse.
Nga Divjaka ndërkohë gazetarja e Klan News, Anila Sefa sjell panoramën që paraqitet atje.
“Në bregdetin e Divjakës do të pastrohet kryesisht nga grupë vullnetare. Kanë ardhur nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të qarkut Fier, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, nxënës shkollash e universitetesh të ndryshme të Tiranës. Ka me qindra vullnetarë që janë bashkuar këtij aksioni. Puna ka nisur. Janë kryesisht të rinj, por vihet re që bregdeti i Divjakës nuk është me një ndotje alarmante në krahasim me vitet e tjera. Vlen për tu përmendur që nevoja për tu pastruar mbetet. Është një sipërfaqe jashtëzakonisht e madhe, 10 km gjatësi bregdetare pa përmendur edhe pjesën e plazheve të lira publike. Pastrimi i sotëm do të jetë një mesazh i fortë për të gjithë që nuk është mirë që mbetjet të lihen në bregdet”, shprehet gazetarja Sefa.
Ndërkohë në plazhin e Velipojës pastrimi i bregdetit është bërë ditën e djeshme.
/tvklan.al