Me qindra hektarë pyje dhe disa shtëpi janë shkrumbuar nga zjarret në pjesë të ndryshme të vendit. Katër vatra të fuqishme janë regjistruar në Orikum, në kodrat e Shën Premtes në Divjakë, në Lekaj të Kavajës si dhe fshatrat Darzezë dhe Seman të Fierit. 8 shtëpi banimi dhe më shumë se 60 hektar pyje dhe kullota, është ky bilanci i deritanishëm i dëmeve të shkaktuara nga këto zjarre.

Në Orikum zjarri ka rënë fillimisht në Dukat fshatë për t’u përhapur më pas në qytezë. Këtu flakët kanë djegur 3 shtëpi siç e shihni edhe nga këto pamje të filmuara gjatë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse. 7 shtëpi të tjera janë dëmtuar pjesërisht. Për shuarjen e flakëve janë mobilizuar dhe polic e ushtarë si dhe banorë të zonës, një aksion që numëron 15 raste asfiksie, por për fat të mirë pa viktima.

Më shumë se 60 banesa kanë qenë të kërcënuara nga përhapja e shpejt e zjarrit që ndihmojë edhe nga era e fortë. Një situatë që ka zgjatur për plot 5 orë, një zjarrvënie e qëllimshme që ka çuar në pranga 72-vjeçarin Qerim Cenoaliaj dhe 70-vjeçarin Jorgo Gjikoka.

“Këtu në Orikum rreth orës 10:30-11:00, kurse për të ardhur ka ardhur që nga Dukati nga ora 09:00-09:10”.

Gazetarja: Janë shkaktuar shumë dëme materiale?

“Po lart nga Dukati thonë që janë djegur nja 2 shtëpi..”

“Nga ora 13:00, më shpejt por nga ora 13:00 e pamë ne”.

Gazetarja: Deri tani ka pasur ndonjë njeri të dëmtuar?

“Jo, jo kështu me të dëgjuar jo. S’dimë gjë”.

Në fshatin Shën Premte të Divjakës, janë djegur 3 shtëpi të tjera dhe 1 Kishë nga një zjarr i vënë me dashje, ndërsa policia ka vënë në pranga autorin. Ai është 38-vjeçari Fiqiri Murrizi, punonjës i ndërmarrjes Rruga Ura, i cili pranoi se kishte ndezur zjarrin për të pastruar nga shkurret një kanal në anë të rrugës. Banorët kanë përjetuar momente paniku pasi zjarrfikëset kanë mbërritur disa orë pas alarmit të dhënë. Flakët kanë kërcënuar afro 150 banesa dhe shumë familje i braktisën ato për disa minuta.

“3 orë edhe nuk i është përgjigjur asnjoni, 3 orë që po themi. 1 zjarrfikëse paska gjithë ky rreth i Lushnjës”.

“Shpia, të gjitha plaçkat mrena i kam o bir, të gjitha plaçkat mrena i kam”.

“Po bajmë ujë me kova, po fikim zjarrin. Zjarrfikës s’ka.. s’ka po çarë, ku do vemi, ku do rrimë”.

“Po si tallet policia e Kavajës me ne. Marr policinë e Lushnjës thotë nuk kemi zjarrfikëse 1 kemi, marrim të Kavajës thotë prisni. Mua po më djeget shtëpia ai thotë prisni, shtet është ky”.

Këtu jemi në Fier. Zjarri i rënë në fshatrat Darzezë dhe Seman ka djegur më shumë se 30 hektarë pyll me pisha duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë natyrore. 5 zjarrfikëse të kompanisë Alb Petrol kanë marrë pjesë në shuarjen e flakëve, ndërkohë që është kërkuar ndihmë edhe nga rrethe të tjera në pjesën më të madhe zjarri është lokalizuar por ka ende vatra aktive.

Një tjetër zjarr i përmasave të mëdha ka djegur më shumë se 30 hektarë ullishte në fshatin Lekaj të Kavajës. Bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme. Sipas policisë për shkak të konflikteve mbi pronësinë. Në këtë zonë për fat të mirë flakët nuk kanë arritur pranë qendrave të banuara, ndoshta lokalizimi i tyre është bërë brenda 2 orësh me ndihmën e banorëve dhe zjarrfikëseve.

Ndërsa në Tiranë zjarri dogji një autobus pasagjerësh gjatë kohës që ai gjendej në një servis. Ngjarja ndodhi në afërsi të qytetit të nxënësve dhe shënon rastin e dytë brenda pak javësh të automjeteve që marrin flakë vetvetiu. Fatmirësisht në asnjë nga këto zjarre nuk pati viktima, por ato ngjajnë më shumë me një sirenë alarmi që paralajmëron për një periudhë të vështirë për banorët dhe ekipet e emergjencave civile./tvklan.al