Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se në Hamallaj, Durrës, po ndodhte një konflikt midis tre vëllezërve, shkuan në adresën e dhënë, duke ndërhyrë dhe neutralizuar të dyja palët e konfliktit, konflikt ky që mund të kishte pasoja për jetën.
Nga veprimet e shpejta rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, njëri prej vëllezërve, 53-vjeçari me iniciale A. P., ka dëmtuar me thikë gomat e një furgoni dhe më pas është konfliktuar fizikisht me dy vëllezërit e tij, 49-vjeçarin me iniciale L. P. dhe 43-vjeçarin me iniciale Y. P., duke përdorur thikë, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar në dorë 43-vjeçari, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 53-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri pistoleta, katër karikatorë për pistoletat, një silenciator të pamontuar dhe fishekë luftarakë. Gjithashtu, u sekuestrua dhe thika e përdorur gjatë konfliktit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë 3 vëllezërit, shtetasit:
– A. P., 53 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrim prone”;
– L. P., 49 vjeç, dhe Y. P., 43 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./tvklan.al